Prishtinë, 19 korrik 2025 – Oda e Noterëve të Kosovës pati nderin dhe kënaqësinë të mirëpresë një delegacion nga Oda e Noterëve të Meksikës, të kryesuar nga dr. David Figueroa, njëherësh kandidat për President të Unionit Ndërkombëtar të Noterisë (UINL), zgjedhjet për të cilin pritet të mbahen në muajin tetor të këtij viti në Berlin.
Delegacioni, i përbërë edhe nga tre noterë të tjerë, u prit nga Kryetari i Odës së Noterëve të Kosovës, z. Shpend Haskaj, në një takim miqësor dhe përmbajtësor, ku u zhvilluan diskutime rreth zhvillimeve në sistemet noteriale të të dy vendeve, përvojave krahasuese në funksionimin institucional dhe sfidave bashkëkohore që prekin profesionin noterial.
Gjatë vizitës dyditore, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe roli i Odave kombëtare në forcimin e sigurisë juridike, mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe promovimin e shtetit të së drejtës. Takimi gjithashtu shërbeu si platformë për shkëmbimin e përvojave dhe për forcimin e lidhjeve mes Odës së Kosovës dhe asaj të Meksikës, në kuadër të komunitetit ndërkombëtar noterial.


