Gjakovë, 18 korrik 2025 – Në ambientet e ish-Gjykatës Themelore në Gjakovë, është realizuar ceremonia zyrtare e pranim-dorëzimit të objektit të dedikuar për arkivimin e lëndëve të noterëve të pensionuar.
Në këtë ngjarje, objekti u dorëzua nga Sekretari i Odës së Noterëve të Kosovës, z. Arbër Shabani, dhe u pranua nga ushtruesja e detyrës së Kryetares së Gjykatës Themelore në Gjakovë, znj. Besarta Doli, në prani të znj. Fatmire Krasniqi, përfaqësuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).
Ky objekt i renovuar me fonde të Odës së Noterëve sipas memorandumit të bashkëpunimit mes ONK, KGJK dhe MD, do të shërbejë si qendër arkivore për dosjet noteriale sikurse ai në Ferizaj, duke siguruar ruajtje të standardizuar dhe qasje të sigurt në dokumentacionin ligjor, në përputhje me kërkesat e Ligjit për Noterinë dhe aktet nënligjore përkatëse.


