Ministrja Hoxha ofron përkrahje të parezervë për noterët

Prishtinë, 26 Gusht 2016 – Kryetarja e Odës së Noterëve Arbena Shehu e shoqëruar nga Aliriza Beshi, Nënkryetar dhe Erdon Gjinolli, Udhëheqës i Shërbimit Administrativ u prit sot në një takim nga Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha.
Gjatë këtij takimi Kryetarja Shehu ka informuar Ministren Hoxha për punët, planet dhe objektivat e ONK-së si dhe sfidat me të cilat përballen noterët, ndërsa kërkoi nga ministrja që koordinimi dhe bashkëpunimi i deritanishëm të vazhdojë edhe më tutje.
Në këtë takim, ministrja Hoxha ka falënderuar kryetaren e Odës së Noterëve për angazhimin dhe punën e deritanishme në funksionimin e këtij institucioni, me theks të veçantë rolin e noterëve në ekzekutimin dhe zvogëlimin e lëndëve në gjykata, njëherësh shfaqi përkushtimin e saj për fuqizimin dhe thellimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen duke ofruar përkrahje të parezervë për noterët.
Me këtë rast, ministrja Hoxha ka theksuar se është e përkushtuar në ofrimin e përkrahjes dhe ndihmës institucionale në tejkalimin e sfidave, ndërsa kërkoi që transparenca, llogaridhënia dhe efikasiteti të jenë prioritete kyçe në planifikimin e punëve.
Ministrja Hoxha, përgjatë këtij takimi u zotua se do të vazhdohet me shtrirjen e zyreve noteriale nëpër komunat të pambuluara deri me tani dhe inkurajoi që të respektohen dhe fuqizohen edhe më shumë kriteret kualifikuese me qëllim të rritjes së kredibilitetit dhe efikasitetit të punës.