Odës së Noterëve i shtohen 82 anëtarë të rinj

Oda e Noterëve të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, ka dorëzuar sot vulat për 82 noterët e rinj, të cilët nga sot fillojnë zyrtarisht ushtrimin e funksionit të noterit.
Me emërimin e tyre, sistemit noterial në Kosovë i janë shtuar 82 zyra të reja, duke e çuar në 127 numrin total të noterëve në vend. Ky zhvillim përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e mëtejmë të shërbimeve noteriale, duke mundësuar mbulimin e plotë territorial të Republikës së Kosovës me zyra noteriale.
Në këtë ditë me rëndësi për sistemin noterial, Oda e Noterëve ka shpërndarë gjithashtu edhe Komentarin e Ligjit për Noterinë – botimi i dytë, për të gjithë noterët e rinj. Ky botim përfaqëson një mjet të rëndësishëm profesional dhe është rezultat i një përkushtimi të veçantë të autorëve të tij: Prof. Bashkim Preteni, ish-Kryetarit të Odës z. Aliriza Beshi dhe Kryetarit aktual z. Shpend Haskaj, të cilët me angazhim të jashtëzakonshëm kanë arritur që në një kohë të shkurtër të mundësojnë finalizimin dhe shpërndarjen e këtij Komentari pikërisht në këtë datë.
Shpërndarja e komentarit synon të ndihmojë në unifikimin e praktikës noteriale në vend dhe të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për noterët e rinj në fillim të ushtrimit të funksionit të tyre.
Oda e Noterëve uron punë të mbarë për të gjithë noterët e rinj dhe mbetet e përkushtuar në zhvillimin dhe forcimin e mëtejmë të sistemit noterial në Republikën e Kosovës.
Comments are closed.