Oda e Noterëve të Republikës së Kosovës mori pjesë në seancën 4-të plenare të CAE-së

Prishtinë, 07.05.2022 – Oda e Noterëve të Republikës së Kosovës si përfaqësuese, mori pjesë në seancën 4-të plenare të CAE-së për legjislacionin 2020-2022 të Komisionit Evropian të Noterisë në UINL, e cila u mbajt në Lisbonë të Portugalisë, në datat: 06-07 Maj 2022. 

Oda e Noterëve të Kosovës në këtë seancë plenare u përfaqësua nga Kryetari i Odës z. Aliriza Beshi dhe z. Sefadin Blakaj, përfaqësues i Odës në komisionin e CAE-së.  

Në pjesën hyrëse të kësaj seance u paraqitën Raportet nga krerët e UINL-së, ku mbi aktivitetet e UINL-së raportoi Presidentja,  znj. Cristina ARMELLA, atë mbi aktivitetet në Evropë dhe me Organizatat Ndërkombëtare, raportoi Zëvendës-Presidenti për Europe z. Lionel GALLIEZ, ndërsa z. Richard Bock, Raportoi mbi aktivitetet e Komisionit Ndërkombëtar të Bashkëpunimit Notarial (CCNI). 

Në vijim Notariati Portuges prezantoi Arkivin Dixhital të Odave Portugeze të Noterisë.  

Gjatë kësaj seance u prezantuan risitë rreth legjislacionit në të gjitha vendet anëtare të këtij komisioni, ku z. Sefadin Blakaj raportoi për risitë dhe zhvillimet e fundit në legjislacionin vendor që ndërlidhen me fushën e noterisë. 

Dita e dytë iu kushtua qarkullimit të akteve noteriale dorëzuar nga Noterët, nënshkrimit elektronik si dhe rastet nga praktika.