Oda e Noterëve e Republikës së Kosovës organizon trajnim për E-Noterinë

18 Tetor 2014, (e Shtunë) në “Hotel Emerald”, Oda e Noterëve e Republikës së Kosovës në pajtim me Statutin e ONK-së ka organizuar trajnimin e rradhës për avancimin e njohurive nga shërbimi noterial.

Në pjesën e parë të këtij trajnimi, Z. Michel Merlotti, ekspert i IHN-së (Instituti Ndërkombëtarë i Noterisë) ligjeroi temën “Harmonizimi i praktikës/punës noteriale”, temë e cila u bazua në të gjeturat të cilat IHN i kishte identifikuar gjatë vizitës së tyre në zyret noteriale në territorin e Republikës së Kosovës.

Pjesa e dytë i takoi Z. Mӓrt Paberit – Kandidat për Noter në qytetin e Talinit- Estoni, i cili ligjeroi temën “Menaxhimi i zyreve noteriale me teknologji të re ose E-Noteria”. Z. Paberit i njoftoi të pranishmit me programin e noterisë, program ky i cili i mundëson noterëve Estonez qasje të drejtëpërdrejtë në regjistrat tjerë publik me rastin e përpilimit të akteve noteriale.