Nënshkruhet Memorandum Bashkëpunimi në mes të ONK dhe AKK

 

Prishtinë, 07/10/2020 – Zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi ka pritur sot në takim Zëvendësministren e Ekonomisë dhe Ambientit, Burbuqe Deva-Bakija, Kryetarin e Odës së Noterëve të Republikës së Kosovës, Aliriza Beshi dhe Kryeshefi Ekzekutiv të Agjencionit Kadastral të Kosovës, Avni Ahmeti, me të cilët është diskutuar qëllimi dhe rëndësia e nënshkrimit të Memorandum Bashkëpunimit ku përmes tij synohet që zyrave noteriale, bazuar në legjislacionin në fuqi, t`iu sigurohet qasje në shikim, printim dhe shënim në certifikatat pronësore të zyrave kadastrale.

Nënshkrimin e këtij Memorandum Bashkëpunimi në mes të Odës së Noterëve dhe Agjencionit Kadastral, Zëvendësministri Dushi e ka vlerësuar si hap shumë të rëndësishëm i cili, përmes digjitalizimit dhe qasjes elektronike i mundëson zyrave noteriale që para çdo transaksioni të palujshmërive, të kenë qasje në gjendjen e fundit të pronave dhe informatave tjera relevante, duke e ngritur kështu nivelin e sigurisë juridike për të gjithë qytetarët në Republikën e Kosovës.

Zëvendësministri Dushi theksoi se Ministria e Drejtësisë do të jetë e hapur dhe e gatshme për të bashkëpunuar në secilin rast me qëllim të koordinimit dhe përmirësimit qoftë përmes korrigjimit të rregullativës ligjore apo edhe aspekteve të tjera të cilat do të ofronin lehtësi dhe siguri juridike si për qytetarët ashtu edhe për punën e noterëve në Kosovë.

Nga ana tjetër, Zëvendësministrja znj. Deva-Bakija, Kryetari i ONK dhe Kryeshefi i AKK, z. Ahmeti e kanë vlerësuar si moment tejet të rëndësishëm nënshkrimin e këtij Memorandum Bashkëpunimi i cili para së gjithash ofron siguri juridike, korrektësi dhe besim tek qytetarët dhe njëherit lehtësi për punën e noterëve duke pasur kështu qasje dhe informacion të saktë nga regjistrat kadastral përmes sistemit të digjitalizimit.

Kryetari i Odës së Noterëve z. Aliriza Beshi në fjalën e tij falënderoi Zëvendësministrat për organizimin e këtij takimi, ai shprehi mirënjohjen e tij me rastin e nënshkrimit të këtij Memorandumi mes dy institucioneve duke theksuar se me këtë nënshkrim po hyjnë në një fazë të re produktive, domethënëse dhe avancuese në garantimin e sigurisë juridike për palët në transaksion por edhe vetë noterët. Përmes qasjes në të dhënat nga Regjistri për të Drejtat në Pronën e Paluajtshme, noterët përmes ueb-shërbimeve, tani do ta kenë mundësinë e leximit, printimit si dhe shënimit në këto regjistra, si një garantues i sigurisë juridike për çdo transaksion të paluajtshmërive. Andaj, të nderuar bashkëpunëtor me lejoni t’ju falënderoj për mbështetjen dhe bashkëpunimin tuaj tё çmuar dhe shumë tё sinqertë nё rrugëtimin tonë tё përbashkët për ta realizuar këtë qellim.

Zëvendësministri Dushi në fund të takimit duke i falënderuar të pranishmit për angazhimin dhe iniciativën e ndërmarr tha se mbeten të përkushtuar për të bashkëpunuar edhe në të ardhmen për çdo projekt i cili është në dobi dhe shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës.