Ministri i Drejtësisë, z. Abelard Tahiri priti në takim Kryetarin e Odës së Noterëve z. Aliriza Beshi

Prishtinë, 15.05.2018 – Ministri i Drejtësisë, z. Abelard Tahiri priti në takim njoftues Kryetarin e Odës së Noterëve z. Aliriza Beshi, i cili ishte i shoqëruar nga anëtarët e Komisionit të Odës së Noterëve, znj. Merita Kostanica, Notere në Prishtinë si dhe Udhëheqësi i Administratës në ONK.

Në fjalën e tij, Ministri Tahiri uroi Kryetarin Beshi për zgjedhjen në këtë pozitë dhe njëherit shprehi angazhimin dhe përkushtimin e tij për të lehtësuar edhe më tej punën e noterëve, ndërsa përmes Projektligjit të Noterisë, i cili gjendet në fazën e plotësim-ndryshimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, siguroi se përmes tij qytetarëve do t’i ofrohen shërbime të sigurta dhe më të shpejta nga ana e noterëve.

Tahiri theksoi se Ligji i ardhshëm i Noterisë duhet të jetë inkurajim për noterët dhe inkurajim për gjeneratat e reja të studentëve dhe profesionistëve të fushës, që të shohin perspektivë në profesionin e noterisë dhe që të jenë në dispozicion të efikasitetit të ligjit. Ai theksoi se ndihet krenarë me punën e deritanishme, ku noterët me punë dhe përkushtim arritën ta krijojnë imazhin të cilin sot e gëzojnë në shoqëri. Ministri Tahiri theksoi se propozimi i tij për të siguruar llogaridhënien, transparencën dhe përgjegjshmërinë për profesionet e lira, përmes zyrës për mbikqyrjen e tyre po merr trajtë konkrete. Në fund, Ministri Tahiri falënderoi Odën e Noterëve e në veçanti Kryetarin Beshi për angazhimin dhe kontributin që po vazhdon ta jep në draftimin e Kodit Civil të Republikës së Kosovës.

Kryetari i Odës së Noterëve z. Aliriza Beshi, falënderoi Ministrin Tahiri për këtë takim njoftues, i njëjti e siguroi Ministrin se sistemi noterial është në rrugën e duhur të zhvillimit, ku për këto 6 vite të ekzistimit, përveç se nuk e njeh asnjë kontest gjyqësor në raport me aktet noteriale, noterët arritën që të ofrojnë për qytetarët shërbime shumë efikase, të shpejta dhe me një kosto minimale financiare, në raport me institucionet tjera vendore. Poashtu, z. Beshi theksoi se sistemi noterial po vazhdon indirekt të kontribuoj edhe në suksesin e gjyqësorit, duke ndikuar në zvoglimin e numrit të lëndëve në gjykata, ndërsa zhvillimi i procedurës trashëgimore nga ana e noterëve është një tregues i suksesit të pa diskutueshëm të sistemit noterial. Z. Beshi, kërkoi përkrahjen e Ministrit Tahiri në rrugën e kompletimit të të gjitha komunave me zyra noteriale si dhe rritjen e numrit të tyre në ato komuna ku vepron vetëm një zyrë noteriale, e të cilat shpesh herë në praktikë po paraqesin vështirësi për realizimin e shërbimeve nga ana e qytetarëve.

Krejt në fund të takimit edhe Sekretari i Ministrisë së Drejtësisë z. Qemajl Marmullakaj, falënderoi Odën e Noterëve e në veçanti z. Beshi për kontributin e dhënë në draftimin e paketës prej tri Projektligjeve të cilat tani gjenden në Kuvendin e Republikës së Kosovës si dhe për kontributin dhe përkushtimin e treguar për draftimin e Kodit Civil, si dhe u dakorduan që takimet mes MD-së dhe ONK-së të intensifikohen në takime të rregullta mujore.