Kryetari Beshi u prit në takim nga Ministri i Drejtësisë z. Abelard Tahiri

Prishtinë, 15.01.2019  –  Kryetari i Odës së Noterëve z. Aliriza Beshi u prit në takim nga Ministri i Drejtësisë z. Abelard Tahiri, ku temë diskutimi ishte zbatimi i pakos së tri ligjeve të cilat janë në fuqi nga fillimi i vitit.

Kryetari Beshi e falënderoi Ministrin Tahiri për këtë takim dhe mundësinë e ofruar për t’i diskutuar fillimisht disa shqetësime të cilat janë paraqitur nga praktika me rastin e zbatimit të këtyre ligjeve, e për të cilat Oda pret sa më parë një mendim juridik nga Ministria e Drejtësisë lidhur me këto shqetësime, si dhe për angazhimet dhe detyrat e reja të cilat derivojnë nga këto ligje për Ministrinë e Drejtësisë dhe Odën e Noterëve.

Ministri Tahiri e falënderoi Kryetarin Beshi për këtë takim si dhe të gjithë Noterët për punën e mirë të bërë deri më tani, ai e ritheksoi edhe njëherë se sistemi noterial në Kosovë është një shembull i suksesit.  Z. Tahiri theksoi se Oda e Noterëve është partneri kyç i Ministrisë së Drejtësisë në funksionalizimin e pakos së ligjeve, andaj edhe e kërkoi përkrahjen e Odës së Noterëve në këtë proces.

Ministri Tahiri poashtu theksoi se në ditët në vijim do të nënshkruhet Plani për implementimin e pakos së ligjeve, ku do të fillohet me hartimin e akteve nënligjore të cilat derivojnë nga këto ligje, duke filluar me Ligjin për Noterinë, e në të cilin proces Ministri pret përkrahje dhe angazhim nga Oda e Noterëve. Kryetari Beshi edhe njëherë ofroi mbështetjen dhe angazhimin e Odës së Noterëve në ditët në vijim, dike siguruar se edhe vetë ai do të jetë i kyçur në këtë proces, me qëllim që të kemi ligje plotësisht të zbatueshme.

Tema tjera të cilat u diskutuan në këtë takim ishin edhe ato rreth sigurimit të vulave të thata për noter, kërkesë nga ligji në fuqi, qasja e domosdoshme elektronike e zyrave noteriale në regjistrat publik, krijimi i regjistrit të testamenteve i cili do të mirëmbahet nga Oda e Noterëve dhe regjistrave të tjerë të paraparë me këtë ligj, aktet e brendshme të Odës së Noterëve, gjeneratat e reja/kandidatët në sistemin noterial, etj.