Oda e Noterëve u prit në takim nga Ministri i Drejtësisë z. Selim Selimi

Prishtinë -22.06.2020, Oda e Noterëve të Republikës së Kosovës e prirë nga Kryetari z. Aliriza Beshi u prit në takim nga Ministri i Drejtësisë z. Selim Selimi. Në fillim të këtij takimi z. Selimi theksoi se Oda e Noterëve të Kosovës është pikë reflektimi për odat tjera, shërbimi noterial ka ndihmuar dhe po vazhdon ta ndihmoj drejtësinë në vend, ajo ka ngjallë shpresa të reja për juristët e rinj që të profilizohen kah profesionet e lira.

Në vazhdim Ministri Selimi premtoi fuqizimin e profesioneve të lira, meqë sipas tij, qytetarët e Kosovës duhet të kenë shërbime të shpejta dhe efikase. Poashtu sipas Ministrit Selimi rritja apo shtrirja e numrit të noterëve në gjithë territorin e Kosovës, nënkupton edhe rritje të kritereve kualifikuese, ndërsa prioritet i Ministrisë mbetet ngritja e efikasitetit të punës dhe rritja e kredibilitetit në fushën e noterisë.

Kryetari Beshi, falënderoi ministrin Selimi për bashkëpunim duke vlerësuar se profesionet e lira në Kosovë janë në rrugën e duhur për konsolidim të plotë. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Odës së Noterëve dhe Ministrisë së Drejtësisë, shtrirjen dhe funksionimin e zyrave noteriale në territorin e Republikës në interes të shërbimit për qytetarë.