Oda e Noterëve merr pjesë në seancën përmbyllëse të CAE-së për vitin 2018

Prishtinë, 24.11.2018 – Oda e Noterëve të Republikës së Kosovës si përfaqësuese e përhershme në Komisionin Evropian të Noterisë në UINL, mori pjesë në seancën plenare përmbyllëse për vitin 2018, të organizuar në Vienë të Austrisë, për datat 23-24.11.2018.

Oda e Noterëve të Kosovës në këtë seancë plenare u përfaqësua nga z. Sefadin Blakaj, i përzgjedhur nga Kuvendi i Odës për përfaqësim pranë këtij komisioni.

Organizatori i kësaj seance, poashtu në agjendën e tij e kishte paraparë edhe një seminar për të gjithë pjesëmarrësit lidhur me Rregulloret e EU-së mbi trashëgiminë.

Seanca plenare u hap nga Presidenti i CAE-së, z. Franco SALERNO CARDILO, i shoqëruar nga Kryetari i Odës së Noterëve të Austrisë z. Ludwig Bittner.

Në vazhdim të seancës, të gjitha shtetet anëtare paraqitën raportet e tyre lidhur me të rejat legjislative, si dhe një përshkrim të shkurtër rreth situatës aktuale të sistemit noterial në secilin vend, përfshirë kërcënimet direkte ndaj sistemit noterial, marrëdhëniet me profesionet e tjera juridike, duke nënvizuar evolucionet pozitive ose negative të noterisë për secilin shtet.

Pjesa e dytë iu kushtua studimeve të cilat janë në progres e sipër si: ”noterët në Evropë dhe mjetet digjitale, dokumentet faktike, kompanitë, të drejtat reale dhe përshtatja e tyre, duke vazhduar me studimin “Regjimet martesore dhe partneritetet e regjistruara”.

Krejt në fund si pikë diskutimi ishin financat e CAE-së si dhe kalendari për takimin e ardhshëm të CAE-së. Takimi i radhës u caktua në Londër të Anglisë, për datat 05-06 Prill 2019.

Dita e fundit e kësaj seance plenare i takoi Akademisë Evropiane të Noterisë, ku përfaqësues nga Austria, Estonia, Franca dhe Gjeorgjia kishin përgatitur prezantime bazuar në legjislacionin e tyre vendore rreth temës së caktuar “përdorimi i mjeteve dhe procesi digjital në Ligjin për Shoqëritë Tregtare.”